Lokacioni
Me pozitën e vet Ulqini zë pjesën më jugore të bregdetit adriatik, ndërsa gjendet në pjesën juglindore të Malit të Zi. Me pjesën jugore, me gjatësinë prej 32,7 km, Ulqini del në Detin Adriatik, ndërsa në pjesën lindore të Ulqinit rrjedh lumi Buna, që është kufiri natyror në mes të Malit të Zi dhe Shqipërisë. Ulqini qëndron në breg të detit të hapur, përballë portës së Otrantit. Në anën lindore të Ulqinit është fusha me liqene, këneta, me lumenj të vegjël si dhe me plazh ranor të gjatë. Në pjesën qendrore të Ulqinit është liqeni i Shasit.
Treva në të cilin është krijuar qyteti i Ulqinit dhe ende zhvillohet është mjaft kodrinor, dhe atë regjion e bëjnë kodra e Pinjeshit (108 m), Mendra (164 m) dhe Mali i Bardhë (289 m).
Me gati 20 km plazhe, prej të cilave 15 km me rërë të hollë, me mbi 6000 ha toke punuese, me ullishta me 88 000 trungje, me rërën me cilësi mjekuese, me baltën peloide dhe me ujin sulfurik mineral, Ulqini paraqet një potencial për respekt ekonomiko-turistik për zhvillimin e të gjitha llojeve të turizmit (elitist, nautik dhe shëndetësor), si dhe të bujqësisë e blegtorisë si degë komparative. Me një sipërfaqe prej 255 km2 që përfshin Ulqin me rrethinë, është një shembull i veçantë i një bukurie të jashtëzakonshme: me plazhe ranore të pafund, me detin e kaltër azur, me natyrë ekzotike dhe të paprekur, gërshetim lumenjsh, liqenesh, malesh dhe të një vegjetacioni të bujshëm mediteran..